Kur ishte e vogël, Julia kalonte orë të tëra të lumtura në Parkun Uarton, fermën e mrekullueshme, ku gjyshi i saj kopshtar rriste dhe kultivonte llojet më të rralla të orkideve, me shumë pasion.
Pas një aksidenti tragjik, kur jeta i kthehet përmbys, Julia, tashmë pianiste e jashtëzakonshme me famë botërore, kthehet në vendet e fëmijërisë për të gjetur strehë e qetësi. Vila me kopshtin e lulëzuar është trashëguar nga Kiti Krofordi, një djalosh rebel e karizmatik, i cili, gjatë punimeve për restaurimin e vilës, ka gjetur një ditar të vitit 1940, që i përket gjyshit të Julias. Dhe, sapo ditari i bie në dorë, Julia nis të zbulojë rrënjët e vërteta të familjes dhe të përfshihet në një histori misterioze, që do t’i japë mundësinë ta fillojë jetën nga e para. Sekreti tronditës që del në dritë e që thuajse e ka shkatërruar këtë pronë magjepsëse, sekret i varrosur prej vitesh, është i destinuar të ndryshojë përgjithnjë edhe jetën e Julias.
Një histori dashurie që nuk njeh kufij.
Një besteseller që ka magjepsur miliona lexues.
Një histori që alternohet mes botës magjike të Parkut Uarton në Angli dhe Tajlandës gjatë Luftës së Dytë Botërore, e mbushur me sekrete, pasione e gënjeshtra dhe në fund me shpagim, kjo është në qendër të këtij romani romantik e prekës.