Romani "Parajsa artificiale" është botimi më i ri i shkrimtarit të njohur Ben Blushi. Gjatë viteve të fundit, librat e Ben Blushit kanë qenë ndër më të shiturit në treg, madje kanë fituar çmime kombëtare dhe ndërkombëtare. Ben Blushi është përkthyer në disa vende të botës, si në Greqi, Kroaci, Bullgari, Itali, Kinë, Arabi Saudite etj.
"Parajsa artificiale” përshkruan 24 orë nga marrëdhënia romantike, e njëkohësisht e çuditshme, e Simon Shuterit, një burri në moshë të mesme, dhe një vajze njëzet e shtatë vjet më të re. Vajza vuan raportin e vështirë të prindërve, të cilët kanë pasur luhatje në jetën bashkëshortore. Ajo i kërkon të dashurit të saj ta ndihmojë që prindërit të mos ndahen. Atëherë, Simon Shuteri, për hatër të së dashurës së re dhe naive, do të përpiqet të trillojë realitete paralele, ku do të ndërthuren dhe bashkëveprojnë historia, luftërat tradicionale dhe konfliktet kibernetike, fetë dhe Inteligjenca Artificiale.
Ky rrëfim i shkruar thjesht, me dialogë të shpejtë dhe provokues, shpalos për lexuesin jo vetëm një histori dashurie atipike, por edhe një sërë tematikash bashkëkohore të rëndësishme. I ndarë në dy pjesë, Ferri dhe Parajsa, romani na shfaq disa skenarë të ardhmesh të afërta. Bazuar në fakte të vërteta historike dhe aktuale, e ardhmja imagjinohet herë si një luftë e ashpër e herë si një vegim utopik, ku njerëzit do të jetojnë në paqe e mirëqenie të përhershme, pa mund e pa punë.