Gjergji vraponte me sa i hanin këmbët, pa ditur se ku. Pas e ndiqnin policët me qentë, që lehnin e kuisnin me të madhe. Arriti në buzë të një honi të thellë. U tmerrua kur e pa. Po të hidhej, do të bëhej copë e thërrime. Asnjë shenjë nuk do të ngelej nga trupi i tij i brishtë.
Ndaloi e u mbush me frymë. Policët po vinin drejt tij duke gulçuar e duke klithur si të marrë, me armët ngrehur, gati për ta qëlluar. Ishin shumë. U tremb dhe u drodh si një pemë nga një tufan i tmerrshëm.
Ngriti duart lart. U ul në gjunjë e me zë përgjërues u tha policëve: "Jo, jo, mos më vrisni! Mos më vrisni! Ju lutem, mos më vrisni! Nuk kam bërë asgjë! Nuk dua të arratisem! Nuk dua të arratisem!".
"Të kapëm, qen bir qeni! S'ke ku shkon tani!", i tha njëri nga policët, të cilit i kishte rënë kapela. Ai i lëshoi njërin nga qentë, që iu hodh drejt e në grykë. "Oooo!", lëshoi një piskamë nga dhimbja dhe me duar u mundua të largonte qenin, që po i shqyente gurmazin.
Befas u zgjua dhe e pa veten të ulur në mes të krevatit. Vuri duart te fyti dhe qëndroi për disa çaste ashtu, në errësirën e dhomës. E mblodhi veten shpejt dhe, si u zhvendos pak prapa, u mbështet pas kokës së krevatit. "Hej Zot, shyqyr që paskam qenë në ëndërr!", mërmëriti nëpër dhëmbë.